Ditën e sotme pritet të kryhet ekstradimi nga Dubai drejt Shqipërisë i Denis Bajri (i njohur edhe si Brajoviç), i cili u arrestua në shkurt të vitit 2024, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Ndaj tij ishte lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa akuzat përfshijnë pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal dhe vrasje me paramendim. Nga përgjimet e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC”, të siguruara nga autoritetet franceze, del se Denis Bajri ka pasur komunikime direkte me të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i njohur si “mbreti i lojërave të fatit”.
Policia e Shtetit bën me dije se Denis Brajoviç ka qenë më herët subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL), pasi ishte hetuar për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Në vitin 2019, ai ishte arrestuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri” në Shkodër, por më pas gjykata e shkallës së parë në Tiranë e la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
I dyshuar për vrasjen e Gjon Ndojt (Boriçit)
SPAK e akuzon Denis Bajrin si autor të vrasjes së Gjon Ndojt (i njohur si Gjin Boriçi), krim i ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër. Hetimet e operacionit “Metamorfoza” kanë zbardhur komunikime të tij me Behar Bajrin dhe Ervis Martinajn, ku pas vrasjes, Denis Bajri njofton në “SkyECC” me fjalën “kryvi” (e kreva).
Pista e porosisë së vrasjes dhe lidhja me Pëllumb Gjokën
Sipas dosjes hetimore, porositësi i vrasjes së Boriçit dyshohet të jetë biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili përmes Behar Bajrit ka porositur eliminimin e viktimës. Në këmbim, Gjoka ka kërkuar më vonë vrasjen e ish-policit të burgjeve, Kleanth Musabelliu, atentat nga i cili ky i fundit arriti të shpëtojë.
Për ironi, në momentin e ngjarjes Behar Bajri dhe Gjin Boriçi ishin në marrëdhënie miqësore. Madje pas vrasjes, Behar Bajri mori pjesë edhe në ceremoninë mortore.