Policia e Shtetit ka dalë me njoftimin zyrtar lidhur me ekstradimin nga Dubai të shumëkërkuarit Florenc Çapja, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit si porositës i tre vrasjeve.
Sipas njoftimit, Florenc Çapja u arrestua për herë të dytë në Dubai në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë.
Çapja, i njohur si kundërshtar i Suel Çelës, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit të GJKKO për disa vepra penale të rënda, përfshirë “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.
Ai është dënuar për vrasjen e baba e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu, akuzohet se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan.
44-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar F. Ç., dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet ne njoftim.