Djali që dyshohet se shkeli perimetrin e sigurisë në resortin Mar-a-Lago, pronë e presidentit Donald Trump, në Palm Beach të Floridës, është identifikuar si Austin Tucker Martin, 21 vjeç, nga Karolina e Veriut, sipas një burimi pranë hetimit.
Sipas të njëjtit burim, i riu ishte raportuar i zhdukur ditët e fundit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit, kur agjentë të United States Secret Service dhe oficerë të policisë lokale e konstatuan 21-vjeçarin pranë portës veriore të rezidencës. Gjatë ndërhyrjes, efektivët hapën zjarr dhe ai mbeti i vrarë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt deklaroi se Shërbimi Sekret “veproi shpejt dhe me vendosmëri për të neutralizuar një person të armatosur me një pushkë dhe një bombol gazi, i cili kishte hyrë me forcë në pronën e Presidentit Trump”.
Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi motivin e ngjarjes. Hetimet janë marrë në dorë nga FBI, ndërsa drejtori i saj, Kash Patel ka deklaruar se agjencia po angazhon të gjitha burimet e nevojshme për sqarimin e plotë të çështjes.
Ndërkohë, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent tha se ka folur me Trump pas incidentit dhe falënderoi Shërbimin Sekret për reagimin. “Nuk dihet ende nëse personi veproi i vetëm apo nëse kishte probleme të tjera,” u shpreh ai për Fox News.


