Një gjykatë britanike ka shpallur fajtorë dy të rinj nga Tottenham për vrasjen brutale të shqiptarit Ervin Baraku, ngjarje që tronditi Londrën në korrik të vitit të kaluar.
Sipas Policisë Britanike të Transportit, Kevin Nguyen dhe Milumo Pedrinho, të dy 21 vjeç, u gjetën fajtorë për vrasjen e 33-vjeçarit Baraku pas një konflikti që ndodhi më 23 korrik 2024, pranë një stacioni metroje në veri të Londrës.
Të dy autorët ndoqën viktimën deri në brendësi të stacionit, ku Pedrinho e goditi me një thikë të madhe. Baraku u rrëzua nga shkallët në përpjekje për t’u shpëtuar sulmuesve. Ai u transportua me urgjencë në spital, ku, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë më 30 korrik nga plagët e rënda.
Nguyen u arrestua një ditë pas ngjarjes, më 24 korrik, ndërsa Pedrinho u kap pak ditë më vonë. Gjatë gjykimit, të dy u shpallën fajtorë për bashkëpunim në vrasje.
Superintendenti i Detektivëve, Sam Blackburn, e cilësoi ngjarjen si “absolutisht të pakuptimtë dhe tragjike” dhe theksoi se “nuk ka vend për dhunë në rrjetin hekurudhor.”
Dënimi i të rinjve do të shpallet në një seancë të veçantë gjyqësore në ditët në vijim.