Detaje të reja janë mësuar rreth Muçi Shaljani (Sheqeri), personit i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin mafioz ndaj Gilmando Danit pasditen e sotme.
Gazetarja Xhensila Kodra bën me dije se Muçi Shaljani Sheqeri më herët ka qenë punonjës në shtet, ndërsa 3 muajt e fundit mësohet se ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Kujtojmë se atentati mafioz ndodhi rreth 25 minuta pasi Gilmando Dani ishte kthyer nga Barcelona.
Ai mësohet se rreth orës 13:55 ishte pritur në aeroport nga Muçi Shaljani, ndërkohë, siç ka njoftuar policia, vrasja ka ndodhur rreth 25 minuta më vonë, pasi ngjarja është regjistruar rreth orës 14:20.
Dyshohet se autorët kishin informacion të saktë mbi lëvizjet e tyre dhe i kanë ndjekur deri pranë rrethrrotullimit afër Rinasit.
Në momentin kur Shaljani, që drejtonte një automjet tip Mercedes Benz S-Class, po largohej nga zona e aeroportit, ndaj tyre është hapur zjarr me breshëri automatiku. Si pasojë e të shtënave, Gilmando Dani ka ndërruar jetë në vend, ndërsa Shaljani ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur disa pika kontrolli në rrugët dalëse të Tiranës dhe Fushë-Krujës. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po verifikohen kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes.
Po kush është Gilmando Dani?
Dani ka qenë një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, që vepronte për llogari të Emiliano Shullazit.
“Disa vite më parë është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda si pjesë e një grupi që vinte gjoba biznesmenëve në Tiranë, grup i cili drejtohej nga Emiliano Shullazi”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Gilmando Dani la qelinë e burgut rreth një vit e gjysmë më parë, pasi shleu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në këtë grup të strukturuar kriminal.
Po ashtu, gazetarja Lala tha se “Që nga koha kur Emiljano Shullazi ndodhet në burg, mësohet se Gilmando Dani kishte marrë drejtimin e grupit kriminal”.
Ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015.
Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Ai u lirua ne 6 tetor 2024.


