Ka ndërruar jetë pas 9 ditësh në intubim 15-vjeçari i cili u plagos me thikë në zemër gjatë një sherri me bashkëmoshatarët e tij në Durrës.
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës, ku të miturit kishin lënë takim me njëri-tjetrin me pretendimin për t’u “sqaruar” pas debateve online.
Të dy adoleshentët mbërritën në vendin e takimit të shoqëruar nga miq të tjerë dhe pas debatit me tone të ashpra situata degjeneroi në përleshje fizike, ku janë përdorur edhe sende të forta.
Gjatë konfliktit, 14-vjeçari me inicialet M.K. ka goditur me thikë katër herë 15-vjeçarin, duke e plagosur rëndë.
Babai i 15-vjeçarit zbuloi pak ditë më parë se i biri ndodhej në intubim dhe mjekët po prisnin reagimin e trurit,që ai të dilte nga kujdesi intensiv, por adoleshenti nuk ka mundur të mbijetojë.
“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi. Më pas do të shohim dëmtime në zemër apo në tru. Këto janë çështje të shëndetësisë dhe me detaje nuk di çfarë të shpjegoj. Por këtë e thotë mjeku i zemrës. Parametrat janë optimale. Kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë. Do të shihen reagimet e djalit, do të shohim maksimumi brenda dy ditëve”, tha ai disa ditë më parë në emisionin “Me Zemër të Hapur”, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti.


