Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,, ka vizituar në Spitalin e Traumës efektivin e Policisë së Korçës, i cili u plagos gjatë një operacioni për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Efektivi, së bashku me kolegun e tij, u dëmtuan pasi automjeti i tyre u përplas qëllimisht nga një prej personave të dyshuar, gjatë një tentative për t’i shpëtuar arrestimit. Fatmirësisht, kolegu tjetër ka marrë lëndime më të lehta dhe është larguar në banesë.
Gjatë vizitës, drejtori i Policisë u shpreh se punonjësit kanë treguar profesionalizëm në kryerjen e detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë. Ai theksoi se policia mbështet plotësisht efektivët që lëndohen në krye të detyrës dhe se janë marrë të gjitha masat për trajtimin e tyre mjekësor dhe financiar.
Drejtori i Përgjithshëm:
“Të uroj shërim sa më të shpejtë ty dhe kolegut tjetër, i cili fatmirësisht është më mirë dhe është larguar pranë banesës. Keni treguar përgjegjësi dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrës.
Përmbushja e detyrës dhe e misionit tonë ka edhe rrezikun me vete, por kur kemi zgjedhur këtë mision, kemi marrë parasysh se të jesh në shërbim të ligjit dhe qytetarëve ka edhe sakrificë. E rëndësishme tani është të rikuperoheni plotësisht.
Sakrifica dhe përkushtimi i çdo punonjësi Policie do të vlerësohet maksimalisht nga unë, si Drejtor i Përgjithshëm, dhe do të jem përherë në krahun tuaj, sepse në këtë krah janë edhe qytetarët e ndershëm që na besojnë dhe na mbështesin.
Të shkuara dhe rri i qetë, sepse janë marrë të gjitha masat për trajtimin tuaj mjekësor dhe për trajtimin financiar nga Policia e Shtetit, pasi jeni dëmtuar në krye të detyrës.”
Ngjarja ka ndodhur në aksin Korçë-Pogradec, pranë fshatit Lumalas, ku policia kishte konstatuar një person të dyshuar për shpërndarje droge dhe kishte tentuar ta ndalonte. 21-vjeçari, për t’i shpëtuar arrestimit, ka goditur me automjetin e tij makinën e policisë, duke shkaktuar aksidentin.
Në vijim të operacionit, policia arrestoi në flagrancë dy shtetas 19 dhe 21 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim një 27-vjeçar, pronar i një lokali ku dyshohet se shitej lëndë narkotike dhe ushtroheshin edhe lojëra fati të paligjshme.


