Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në rrugën Larisis, Greqi, ku një 42-vjeçar shqiptar, drejtues motoçiklete, humbi jetën tragjikisht pas një përplasjeje të fortë me një makinë. Aksidenti ndodhi pak minuta para mesnatës, kur motoçikleta e drejtuar nga shqiptari doli në rrugën Larisis dhe u përplas me një automjet që po udhëtonte në drejtim të qytetit të Volosit.
Sipas informacionit të publikuar nga mediat greke, motoçikleta e drejtuar nga shqiptari me fuqi të madhe ka dalë papritur në rrugën Larisis dhe ka përplasur makinën e një 26-vjeçari nga Volosi. Pas përplasjes, ambulanca mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe transportoi 42-vjeçarin në spital, ku, pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, ai ndërroi jetë rreth dy orë më vonë, pak para orës 3 të mëngjesit.
Sipas raportimeve, shqiptari nuk mbante kaskë mbrojtëse në momentin e aksidentit, faktor që mund të ketë kontribuar në pasojat tragjike të ngjarjes. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë duke u zhvilluar nga Seksioni i Trafikut të Volosit, i cili po punon për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e përplasjes.