Dy shoferë shqiptarë të një furgoni që po udhëtonin nga vendi ynë drejt Italisë si destinacion, duke hyrë nga pika kufitare e Sllovenisë, janë zbuluar prej autoriteteve doganore teksa brenda mjetit mbanin edhe një valixhe të mbushur me 5 armë automatike dhe municione që do i trafikonin për grupet kriminale.
Operacioni është kryer në Monfalcone të Triestes, nga Guardia di Finanza lokale dhe Policia Ekonomike dhe Financiare (GICO), në pikën kufitare të Sant’Andrea.
“Gjatë kontrolleve rutinë të dokumenteve të pesë pasagjerëve në automjet — të gjithë shtetas shqiptarë — dhe dy shoferëve, këta të fundit filluan të shfaqnin sjellje që tërhoqën vëmendjen e Policisë Financiare: nervozizëm, padurim dhe shikime të tensionuara. Këto ndjenja shqetësimi u intensifikuan kur oficerët e kthyen vëmendjen te bagazhet e transportuara në automjet”, informon media e vendit fqinj për detajet e aksionit.
Një valixhe në veçanti zgjoi interesin e Guardia di Finanza më shumë se të tjerat: e karakterizuar nga pesha e tepërt, në krahasim me vëllimin e saj. Pasi u hap dhe u inspektua me kujdes, zbuloi, midis kapakut dhe rreshtimit të brendshëm prej pëlhure, një shtresë materiali sfungjeror që përmbante tre pushkë “Kallashnikovë AK-47”.
Pas këtij zbulimi, Policia Financiare vazhdoi me një ekzaminim edhe më të plotë të automjetit të ndaluar, duke gjetur gjithashtu dy pushkë të tjera sulmi të të njëjtit lloj dhe pesë karikatorë me një total prej 356 fishekësh.
Materiali i identifikuar luftarak u sekuestrua, së bashku me telefonat celularë të përdorur nga dy shoferët e automjetit.
“Këta të fundit u vunë gjithashtu nën arrest të detyrueshëm për shkelje të dispozitave që rregullojnë kontrollin e armëve (Neni 1 i Ligjit 895/1967). Prandaj, u nisën hetime të menjëhershme për të sqaruar më mirë kanalin e prokurimit për armët e sekuestruara, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar policor, i cili u lejoi autoriteteve ligjzbatuese shqiptare të identifikonin dhe arrestonin në Hot, individin përgjegjës për transportimin e armëve”, specifikon media.
Ka dyshime se këto armë ishin porositur nga grupe kriminale të organizuara dhe po hetohen si dërguesit, ashtu edhe porositësit, ndaj zbërthimi i telefonave dhe dëshmive të shoferëve mund të zbulojë detaje me interes investigues për çështjen.
Aktiviteti i shërbimit i përshkruar në këtë njoftim për shtyp tregon vëmendjen e vazhdueshme të Guardia di Finanza-s për të luftuar trafikimin e paligjshëm, veçanërisht atë të kryer përgjatë rrugëve kryesore përmes kontrollit të gjerë territorial.


