Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, nën akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Bashkë me të është nën hetim dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.
Burime nga prokuroria bëjnë me dije se SPAK ka kërkuar zgjatjen e afatit të hetimeve, duke caktuar si datë përfundimtare të mbylljes së fazës hetimore 29 shtator 2025.
Një ditë më parë, edhe biznesmeni Elman Abule është marrë zyrtarisht i pandehur në kuadër të të njëjtës çështje, i akuzuar për pastrim parash. Ai ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt 2025. Ai, bashkë me bashkëshorten dhe 6 biznesmenë, përfshirë Elman Abulen, po përballet me një dosje të zgjeruar hetimore, e cila përfshin akuza të rënda për veprimtari korruptive dhe financiare me burime të dyshimta.