Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 150 euro, ndaj të akuzuarit për veprën penale “lidhje e paautorizuar në shërbime”, Adem Kryeziu. Dënimi me gjobë do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Shpalljen e këtij aktgjykimi e ka bërë gjykatësi i kësaj çështje Avdirrahman Gashi, pasi që i akuzuari Kryeziu e ka pranuar fajësinë.
Kryeziu ka thënë se ndihet i penduar për veprën për të cilën akuzohet, duke shtuar se tani më dëmin prej rreth 200 euro, e shkaktuar ndaj të dëmtuarës KEDS, është duke e paguar.
e pranimin e fajësisë është pajtuar edhe prokurori Rrahim Podvorica, ku sipas tij ky pranim fajësie është në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore.
Gjykatësi Gashi, po ashtu, të akuzuarin e ka obliguar që në emër të paushallit gjyqësorë të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave të paguajë 30 euro.Sipas aktakuzës së ngritur me 15 tetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Adem Kryeziu akuzohet se ka kryer veprën penale “lidhje e paautorizuar në shërbime” nga neni 321 par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se me 24 maj 2018, në fshatin Grackë e Vjetër, gjatë kontrollit nga personat e autorizuar të KEDS, është konstatuar se i akuzuari është lidhur direkt në rrjetin elektrik, duke furnizuar energjinë elektrike pa u regjistruar fare, jashtë pikës matëse.
ipas aktakuzës me këtë rast i akuzuari të dëmtuarës KEDS – Distrikti në Ferizaj, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 195.13 euro. /BetimipërDrejtësi




