Një ditë pasi Gjykata e Posaçme e la në masën e sigurisë “arrest me burg”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka mbërritur në qelitë e paraburgimit në Durrës, ku do të qëndrojë aty deri në përfundimin e hetimeve.
Kujtojmë që ditën e djeshme pas një seancë maratone, GJKKO nuk i ndryshoi masën kryebashkiakut Veliaj, ndërsa për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa u caktua masa e detyrimit të paraqitjes.
Edhe ndaj 5 biznesmenëve, GJKKO la të njëjtën masë sigurie, atë të detyrimit të paraqitjes.
GJYKATA
Në vendimin e shpallur mbrëmë GJKKO bëri me dije se: Prokuroria e Posaçme me datë 11.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosur për personat nën hetim Erion Vliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha me vendimin Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit me karakter shtrëngues të vendosur ndaj këtyre shtetasve”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112, 248 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Erion Veliaj me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” caktuar ndaj personit nën hetim Ajola Xoxa me masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
DËSHMIA E VELIAJT NË GJYKATË
Përgjatë seancës së djeshme, Erion Veliaj është përplasur ashpër me njërin nga prokurorët e çështjes, konkretisht Olsi Dadon. Fillimisht kryebashkiaku i ka kërkuar që prokurori të largohej nga çështja për shkak se ai ishte në konflikt interesi për shkak të një leje ndërtimi: “Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”-mësohet t`i ketë thënë Veliaj prokurorit. Por debatet kanë vijuar ndërkohë bëhet me dije se Erion Veliaj të ketë thënë: “Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë jam kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës kam bërë detyrën time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë që jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës tim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes. Bashkëshortja ime është kryezonjë dhe është përndjekur në mënyrë perverse”.
Në këtë moment ka ndërhyrë prokurori që i ka kërkuar të ruajë etikën në komunikim, dhe replika e Veliajt ishte: pse të dogji, nuk përmenda emra dhe me këtë fjali kam parasysh median e politikën”. Prokurori ka vijuar: Po, sepse i ke shkruar në Facebook, këtu nuk je në Facebook ndaj përmbaju provave dhe fakteve. Të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale buzëkuq dhe bizhuteri”- tha prokurori i çështjes.
Masat e sigurise
Erion Veliaj – “Arrest me burg” për korrupsion dhe pastrim parash
Ajola Xoxa – “Detyrim paraqitje” dhe mos largim jashtë shteti për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie
Elman Abule -Arrest me burg për pastrim parash
Gentian Sula – Detyrim paraqitje, për korrupsion aktiv
Meriman Palushi – Detyrim paraqitje për korrupsion aktiv
Fatmir Bektashi -Detyrim paraqitjeje për korrupsion aktiv
Sokol Kryeziu – Detyrim paraqitje për korrupsion aktiv
Shkëlqim Fusha – Detyrim paraqitje për korrupsion aktiv