Policia ka vënë në pranga pesë të rinj në zonën e Valiasit, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar lëndë narkotike me qëllim shitjen.
Në kuadër të këtij operacioni u ndaluan dy automjete, një tip “Audi” dhe një “Jaguar”, që lëviznin në koordinim me njëra-tjetrën. Në makinën tip Audi udhëtonin shtetasi A. P., 25 vjeç, në cilësinë e drejtuesit të mjetit dhe E. P., 26 vjeç, si pasagjer. Gjatë kontrollit, Policia gjeti në bagazhin e kësaj makine dy pako me drogë, me peshë totale 5.3 kilogramë, që dyshohet se po transportohej për qëllime tregtimi.
Në automjetin tjetër, tip Jaguar, udhëtonin tre persona të tjerë: drejtuesi i mjetit E. B., 23 vjeç, dhe pasagjerët E. G., 22 vjeç dhe Sh. N. (G.), 20 vjeç – dy të fundit janë vëllezër. Ata tentuan të largoheshin në momentin që policia ndërhyri, por u neutralizuan dhe u ndaluan menjëherë nga forcat e rendit.
Sipas burimeve zyrtare, A. P. është arrestuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa katër të tjerët për “Moskallëzim të krimit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Valiasi”.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 5 shtetas të përfshirë në një rast të shitjes së 5 kg Cannabis Sativa.
2 prej tyre po transportonin lëndën narkotike, me automjet, ndërsa 3 të tjerët i shoqëronin me një automjet tjetër.
Sekuestrohen 2 pakot me Cannabis Sativa, 2 automjetet dhe 5 celularë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale, kanë finalizuar një tjetër operacion për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur lëndë narkotike.
Si rezultat i operacionit të koduar “Valiasi”, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. P., 25 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-E. G., 22 vjeç, Sh. N.(G.), 20 vjeç (vëllezër), E. P., 26 vjeç dhe E. B., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga burimet operative, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Valias, 2 automjetet e dyshuara, automjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin A. P. dhe pasagjer shtetasin E. P. dhe automjetin tip “Jaguar” që e ndiqte nga pas, me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjerë shtetasit Sh. N.(G.) dhe E. G, të cilët tentuan të largoheshin në momentin e ndërhyrjes së Policisë.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 5 kilogramë e 300 gramë, që dyshohet se po transportohej me qëllim shitjen.