Autoritetet belge dorëzuan sot zyrtarisht autoriteteve italiane një shtetas shqiptar të arrestuar më 21 maj, si pjesë e operacionit të përbashkët ndërkombëtar të koduar “Ura”.
Operacioni u koordinua nga Drejtoria e Antimafias (DIA) e Barit, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe përbën një pjesë të rëndësishme të një hetimi më të gjerë penal, i cili deri më tani ka çuar në lëshimin e 52 urdhrave të paraburgimit paraprak, të firmosur nga Gjykata për Hetimet Paraprake (GIP) në Bari, me kërkesë të Prokurorisë lokale Antimafia.
Kapja e të dyshuarit shqiptar u bë e mundur falë një operacioni të përbashkët të Shërbimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor dhe rrjetit evropian ENFAST (Rrjeti Evropian i Ekipeve të Kërkimit Aktiv të të Arratisurve). Ekipet FAST nga Italia, Belgjika dhe Luksemburgu bashkëpunuan ngushtësisht për lokalizimin dhe ndalimin e tij.
Sipas autoriteteve, ndjekja e të dyshuarit u bë nga ekipi FAST i Luksemburgut deri në kufirin me Belgjikën, ku mbrëmjen e 20 majit ai u gjurmua dhe arrestua. Ai u mbajt në paraburgim nga autoritetet belge deri në dorëzimin e sotëm zyrtar ndaj autoriteteve italiane.