Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga arrestimi i Skerdi Sinës, 29 vjeç, i cili u ndalua pas një ndjekjeje intensive në rrugët e Tiranës. Operacioni ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, ku forcat “Shqiponja” i kërkuan ndalimin një automjeti tip Audi Q8, me dy persona brenda, të dyshuar për armëmbajtje pa leje.
Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, u largua me shpejtësi dhe përplasi tre automjete. Pasi braktisën makinën në rrugën “Moskat”, dy të rinjtë hodhën një armë zjarri në rrugë dhe tentuan të arratiseshin në këmbë. Skerdi Sina, pasagjer në makinë, u kap menjëherë nga forcat policore.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën një krehër arme dhe municion, ndërsa më vonë në automjetin e sekuestruar u zbulua dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Skerdi Sina është emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Gjykata kishte dhënë më parë vendim dënimi me 4 muaj burg për të, për plagosje të rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Po ashtu, Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, lidhur me një ngjarje të ndodhur në janar në zonën e Astirit, ku një 21-vjeçare u mbajt e mbyllur në apartament nga i dashuri i saj dhe disa persona të tjerë, mes tyre edhe Sina.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e drejtuesit të automjetit, tashmë të identifikuar nga Policia, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Njoftimi i policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Në vijim të informacion të dhënë pasditen e djeshme, mbi vënien në pranga të shtetasit S. S., informojmë se në vijim të veprimeve, për këtë shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda:
-ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për dënimin me 4 muaj burgim të tij, për plagosje të rëndë, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme;
-ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e këtij shtetasi, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Më tej, në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me rastin e djeshëm, u gjet në automjetin e sekuestruar, dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Vijojnë kontrollet për drejtuesin e automjetit, me të cilin lëvizte shtetasi S. S., të identifikuar nga Policia, menjëherë pas rastit.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.