Ismet Gaxherri, i cili u kap me armë zjarri në makinë paraditen e sotme në Bulevardin “Bajram Curri”, ka qenë i përfshirë në ngjarjen e Linzës në vitin 2015, ku u qëllua për vdekje Enton Nikaj.
Raportohet se 39-vjeçari ishte pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja e rëndë dhe mik i viktimës.
“Në bazë të informacioneve të siguruara, në bulevardin “Bajram Curri”, u ndalua automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin I. G., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, u gjet në automjet, 1 armë zjarri pistoletë me municion, të cilët 39-vjeçari e posedonte pa leje”, informuan sot blutë e Tiranës.
Ismet Gaxherri u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
VRASJA
Sipas Prokurorisë, të pandehurit ditën e ngjarjes kanë konsumuar një drekë në lokalin “M…”. Në momentin që ata kanë hipur në automjetin me të cilin kishin shkuar atje kanë parë nga larg pronarin e lokalit Ismet Gaxherri dhe shtetasin Enton Nikaj.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Ervis Martinaj është shprehur “Erdhi ky që më ka ca lekë borxh”. Ndërsa gjykata e Apelit pretendon se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se i pandehuri Martinaj ka thënë këto fjalë.
Duke iu referuar pamjeve filmike të kamerave të sigurisë dhe deklarimeve të të përfshirëve në ngjarje, Apeli shprehet se kur Gaxherri ka parë Martinajn i është drejtuar me “Viso, çkemi”.
Sipas Gjykatës, Martinaj i ka thënë se nuk kishte punë me të dhe se i ishte drejtuar Nikajt, duke i thënë “O çuni hajde një sekondë”.
Sipas Gjykatës, ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku Nika është rrahur nga të pandehurit. Në të njëjtën kohë, i dëmtuari tjetër Gaxherri është mbajtur i ulur në gjunjë, nën kërcënimin e disa objekteve që, duke iu referuar pamjeve, gjykata i cilëson si sende të ngjashme me armët e zjarrit, tip pistoletë.
Gjatë kohës që i ndjeri Nika po dhunohej nga të pandehurit, prokuroria pretendon se ai është ekzekutuar me gjakftohtësi prej tyre, veprim i kryer nga i pandehuri Emiljano Tasho.
Sipas Apelit, momenti i ekzekutimit nuk është regjistruar nga kamerat, pasi ka qenë jashtë fushëpamjes së tyre. Për pasojë, shprehet Apeli, pretendimi i organit të Akuzës se ekzekutimi është bërë me gjakftohtësi, në bashkëpunim nga të katër të pandehurit është i pabazuar në prova, por thjesht në analizën e veprimeve të të pandehurve.
ARGUMENTET E APELIT
Duke iu referuar provave të paraqitura në proces dhe pretendimeve të palëve, Apeli ka vlerësuar se vrasja e Enton Nikës është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim nga të pandehurit.
“Vrasja e shtetasit Enton Nika është kryer nga i pandehuri Emiljano Tasho, si pasojë e eksesit të këtij të pandehuri, gjatë kohës kur ai së bashku me të pandehurit e tjerë po godisnin me grushte, shkelma e sende të forta të ndjerin Enton Nika dhe shtetasin I.Gaxheri”, shprehet Apeli.
“Viktima nuk kishte njohje të mëparshme me katër të pandehurit e rrjedhimisht nuk mund të identifikohet shkaku apo motivi kësaj vrasjeje”, arsyetonte Apeli. Në lidhje me pafajësinë për akuzën e “moskallëzimit të krimit”, Apeli shprehej se “nuk mund të jetë vetë personi i cili është përfshirë në ngjarje, është marrë i pandehur nga organi i Akuzës dhe për më tepër akuzohet për veprën penale që duhet të kallëzojë, pasi në këtë mënyrë do të dilnim jashtë logjikës juridike dhe do të ndodheshim në kushtet kur i pandehuri inkriminon vetveten”.