Kanë dalë pamjet nga vendi ku u gjet i varrosur Enver Bajraktari, 41-vjeçari nga fshati Baicë i Lipjanit, i cili prej disa ditësh ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët.
Trupi i tij i pajetë u zbulua më 4 gusht, i groposur në një thellësi rreth dy metrash në një arë të mbjellë me misër, vetëm 1 kilometër larg banesës së tij. Dyshohet se viktima është tërhequr zvarrë nga autorët përpara se të varrosej.
“Lidhur me rastin e raportuar të personit të zhdukur në Komunën e Lipjanit, më datë 04.08.2025 është gjetur një trup i pajetë. Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprime hetimore intensive nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.