Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë në qytetin e Durrësit, ku 51-vjeçari Valbon Beqiraj alias Marko Beqiraj u gjet pa shenja jete në banesë.
Blutë informojnë se nga ekspertiza paraprake mjekoligjore e kryer ka rezultuar se në trupin e 51-vjeçarit kishte shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me thikë, si pasojë e të cilave dyshohet se ka humbur jetën.
Trupi i pajetë i tij u gjet rreth orës 19:30 në banesën e tij në lagjen nr. 12 të qytetit bregdetar.
Grupi i posaçëm po punon me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës.
Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në banesë, është gjetur pa shenja jete shtetasi V. B., alias M. B., rreth 51 vjeç.
Përgjatë natës dhe aktualisht, grupi i posaçëm hetimor ka kryer dhe është duke kryer një sërë veprimesh të thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Në përfundim të veprimeve, do të ketë një njoftim të plotë dhe të detajuar në lidhje me këtë ngjarje.