Pothuajse tre muaj pasi pësoi hemorragji cerebrale, vetëm pak ditë pas emërimit të tij si drejtor i Burgut të Durrësit, është ndarë nga jeta Edmond Llabani.
Zyrtari nuk arriti ta fitonte dot betejën me vdekjen, edhe pas përpjekjeve të mjekëve.
Llabani ishte komanduar si drejtor i Burgut të Durrësit më 15 janar, pas shkarkimit të drejtorit Indrit Cërrloj, për shkak të arratisjes të Altin Ndocit.
Pas marrjes së detyrës në burgun e Durrësit, ai pësoi një hemorragji cerebrale, vetëm pesë ditë më pas. Për këtë arsyeje, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT.
Emërimi i Llabanit në krye të Burgut Durrës pas arratisjes së Altin Ndocit
Edmond Llabani është emëruar drejtor i ri i komanduar i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës më 15 janar, pas shkarkimit të drejtuesit të mëparshëm, Indrit Cërloj.
Shkarkimi i Cërlojt u firmos të mërkurën nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u largua gjatë një shoqërimi për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.
Pas ngjarjes së rëndë, ministri Lamallari i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve hartimin e një plani të ri për vlerësimin e sigurisë dhe rishpërndarjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve në IEVP Durrës, mbi bazën e rrezikshmërisë, duke mos përjashtuar edhe transferimin e tyre në institucione të sigurisë së lartë.
Madje ministri pezulloi në atë kohë të gjithë zinxhirin komandues të IEVP Durrës dhe nënshtrimin një hetimi të thellë, pasi ishin konstatuar shkelje standardesh dhe ligjesh gjatë procedurave për trajtimin e të arratisurit Ndoci.


