Dashnor Dumani dhe Artemis Stafa, të cilët u ekstraduan të mërkurën nga Dubai, si pjesëtarë të grupeve kriminale, kanë dalë ditën e sotme para GJKKO-së.
Togat e zeza kanë lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Dashnor Dumanin, vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili dyshohet nga SPAK për masakrën e Bradasheshit me 3 viktima dhe supergrabitjen në pistën e aeroportit të Rinasit.
Ndërkohë ka ndryshuar masa nga “arrest me burg” në “arrest në shtëpi” për Artemis Stafën, i cili dyshohet nga SPAK se pastronte paratë e organizatës kriminale të vëllezërve Hajdar e Franc Çopja nëpërmjet shit-blerjes së automjeteve.
******
Dashnor Dumani dhe Artemis Stafa u ekstraduan në Shqipëri më 11 Qershor. Autoritetet kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-D. D., 40 vjeç, pasi GjKKO-ja:
- në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se:
- në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.;
- në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.
- Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;
-A. S., 36 vjeç, pasi GjKKO-ja:
- në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.