Ish kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe tre të dënuar të tjerë kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar pafajësi.
Tre personat e tjerë që kanë bërë rekurs janë Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku, të cilët janë gjetur fajtorë për shpërdorim detyre rreth tenderave në bashki.
Gjykata e Lartë me dorëzimin e rekursit ka hedhur shortin ku dhe është caktuar si relator gjyqtari i lartë Genti Shala.
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi më 16 shtator të vitit të kaluar, lënien në fuqi të dënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, me 2 vjet e 8 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, të dhënë nga shkalla e parë, lidhur me paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.
Megjithatë, përveç periudhës së qëndrimit në qeli nga arrestimi i tij më 6 qershor 2023 deri më 27 shkurt 2024, kur u lirua për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit, Dako shleu rreth 11 ditë burg, pasi pjesën tjetër e ka vuajtur në “arrest shtëpie”, që gjithashtu njihet si vuajtje dënimi.
Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit, pasi u konstatua se SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve, detyra që mbetën pas shqyrtimit të kërkesës për gjykim. Ai qëndroi në masën e sigurimit “arrest shtëpie” deri në vendimin e Apelit.


