Një sasi lënde plasesë ka shpërthyer pas mesnatës (30 Shtator) në një pallat në lagjen Gafurr Muça në Lushnjë.
Mësohet se tritoli ishte vendosur në hyrje të banesës së nënës së Klea Gjatës, Shaqe Gjata.
Shpërthimi në katin e parë të një pallati ka sjellë vetëm dëme materjale, ku një pjesë e suvasë së ndërtesës ka rënë në tokë dhe janë thyer disa dritare.
Kujtojmë që Klea Gjata është e njohur si e dashura e Laert Haxhiut, i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës.
29-vjeçarja u arrestua më 28 shtator 2023 në kuadër të operacionit të koduar policor “Never Forget”, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, i cili u zbërthye para grupit të hetimor duke zbardhur 6 krime të kryera nga grupi i autorit të masakrës së Lushnjes.
E reja nga Lushnja dyshohej se ishte përfshirë në vrasjen e Alban Semakut në vitin 2021.
Ndaj Klea Gjatës u ngrit akuza për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Por Klea Gjata u lirua me vendim të GJKKO-së më 21 Mars 2024, ku ndaj saj u caktua masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Vendimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 19.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj Klea Gjata me vendimin Nr. 690, datë 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan (me vleftësim ndalimi të saj më datë 27.09.2023), e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” të parashikuar nga nenet 300 dhe 302 të Kodit Penal, me masën e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar lirimin e saj dhe të mos largohet nga territori shqiptar pa autorizimin e gjykatës.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin 175, datë 21.03.2024, vendosi:
Pranimin e kërkesës të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj personit nën hetim Klea Gjata me vendimin 690, datë 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale
Urdhërohet personi nën hetim Klea Gjata të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pik1 të K.Pr.Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Klea Gjata.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Klea Gjata, nga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet apo nëse nuk duhet të mbahet e arrestuar, e ndaluar apo e dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
DËSHMIA E NËNËS
Nëna e Klea Gjatës, më 29 Shtator 2023, rrëfeu në një intervistë se vajza e saj nuk kishte lidhje me vrasjet.
Shaqe Gjata u shpreh në atë kohë se e bija, e cila sipas policisë ishte partnerja e Leart Haxhisë është engjëll dhe se kishte frikë nga ky i fundit. Sipas saj, Leart Haxhiu i kishte dërguar Kleas trëndafila, por ajo i kishte refuzuar.
“Klea ka mbaruar administrim biznesi. Unë atë dritë syri kam. Vajza fle me mua. Jam tepër e shqetësuar, na ndihmo të lutem. Unë atë vajzë kam nuk ka bërë asgjë. Më ndihmo të lutëm. As nuk e ka takuar, vetëm të atin i njoh çunit! Ne kemi parë hallin tonë. Kam turp kam sedër pse ta pësoj ajo që është e drejtë. Unë e “kam frikë atë” më thoshte që t’i bëj bllok.
Në telefon me mua është sjellë mirë ai. Nuk e kam takuar kurrë! Unë e njoh si fytyrë që jepet në media. Nuk e njoh djalin vetë. Kur ishte 8 Marsi i këtij viti i erdhi një buqetë ishte pa emër… Vajza nuk e pranoi buqetën… Se nga i gjeti numrin dhe i tha ta kam sjellë unë buqetën (Laert Haxhiu). I tha ta kam sjellë për shenjë respekti. Vajza tha mos u merr me mua. Kam frikë më ‘tha ti bëj bllok’. Shkëputej rrinte dy javë, por e merrte vet ai. Për të bashkëjetuar jo e jo! Kur ka ardhur buqeta me lule jam shtangur, tha nuk e njoh se kush është”, tha ajo për Report TV.
Nëna e Klea Gjatës u shpreh se kanë marrë kërcënime pas bërjes publike të lajmit, ndërsa sipas saj një grua i ka shkuar në banesë dhe i ka thënë “le të fshihet sa të dojë, vajza jote më ka vrarë djalin”.
“Unë po pija kafen në një lokal lagje. Po çfarë faji kam unë? Erdhi një grua, e ka emrin Shpresa, mbiemrin nuk e di. Ka ardhur edhe këtu, edhe tek shtëpia, më tha le të fshihet sa të dojë, vajza jote më ka vrarë djalin. Vajza ime është një engjëll nuk ka lidhje me vrasjet! Të pyesësh në gjithë Lushnjën s’ka lidhje! Vajza ime ka që vajzë e re që ka punuar në shtëpitë e Zvicrës duke pastruar”, u shpreh Shaqe Gjata.
Ajo u shpreh se në momentin që policia shkoi për të arrestuar 27-vjeçaren ishin në spital, pasi ka bashkëshortin e paralizuar.
‘Unë atë ditë që më morën vajzën unë u gdhiva në spital me tim shoq, pasi e kam të paralizuar. Vajza shkoi të marrë ilaçe në atë kohë kur erdhi policia. ‘Kërkojmë Klea Gjatën’ më thanë. Mua me vajti mendja mos ka bërë aksident. Unë se kisha fare lidhjen. Erdhi vajza e mori policia, i thanë do të marrim në pyetje”, rrëfeu e ëma e Klea Gjatës.