Një vajzë 18-vjeçare shqiptaro- britanike po lufton për jetën pas një aksidenti tragjik automobilistik pak ditë më parë Shqipëri.
Pamela Mema nga Londra veriore ishte duke shkuar për të festuar ditëlindjen e motrës së saj, që mbushte 24 vjeç, kur ndodhi aksidenti i rëndë në fshatin Belsh, më 22 nëntor.
18-vjeçarja u dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, ku tani po lufton për jetën dhe është në gjendje kome, pasi ka pësuar dëmtime në kokë.
E reja ishte pasagjere bashkë me Saimir Kamberajn, në mjetin me drejtues shtetasin Henric Xherimeja 21 vjeç, i cili ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Siç shkruan Daily Mail, familja dhe miqtë e Pamelës po përpiqen për të mbledhur para për ta sjellë atë në Britani për trajtim. Ata kanë hapur një faqe GoFundMe, ku deri më tani kanë mbledhur rreth 85,000 paund.
Eshli Haxhiasllani, që krijoi këtë fushatë mbledhjeje fondesh, shkroi: “Më 22 nëntor 2024, Pamela jonë e bukur, e mençur dhe e fuqishme, ka pësuar një aksident automobilistik në fshatin Belsh, Shqipëri, gjatë rrugës për të festuar ditëlindjen e motrës së saj, që mbushte 24 vjeç. Që nga 22 nëntori, Pamela ka qenë duke luftuar për jetën në spitalet e Shqipërisë. Tani, urgjentisht duhet ta sjellim Pamelën në shtëpi në Londër, që ajo të marrë kujdesin më të mirë mjekësor nga mjekët që besojmë. Pamela është vetëm 18 vjeç, ka të gjithë jetën përpara dhe çdo donacion do të vlerësohej shumë për ta sjellë Pamelën në shtëpi dhe për t’i ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm.”
Për të kontribuuar, kliko KËTU