Industria turke e mbrojtjes ka shtuar një produkt të ri në mjetet ajrore pa pilot dhe kamikazë (UAV) të zhvilluara në vend.
Droni i ri, i quajtur Deli, u zhvillua nga “Titra Teknoloji” dhe u ekspozua për herë të parë në panairin e mbrojtjes dhe aviacionit SAHA Expo që filloi të martën në Stamboll, shkruajnë mediat turke.
Drejtori i përgjithshëm i “Titra Teknoloji”, Davut Yılmaz, ka thënë se Projekti Deli filloi rreth dy vjet më parë.
Me aftësitë e tij operative autonome dhe manuale, Deli mund të transportohet lehtësisht me strukturën e tij modulare dhe është gati për përdorim në më pak se 15 minuta.
Deli, niveli i sigurisë së të cilit është rritur me pajisjet kundër bllokimit, mund të arrijë një shpejtësi lëvizjeje prej 80 km/h (50 mph) dhe një shpejtësi maksimale prej 180 km/h.
Deli po përgatitet të hyjë në fushën e betejës me një lartësi maksimale prej 3500 metrash dhe një lartësi operacionale 150-500 metra.
Ajo ka një “kokë shpërthyese” prej rreth 3.1 kilogramë.
“Koka shpërthyese” që do të përdoret është zhvilluar nga Instituti i Kërkimit dhe Zhvillimit të Industrive të Mbrojtjes (SAGE) i Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TÜBİTAK).
Yılmaz më tej vuri në dukje se produkti i tyre ka tri përparësi themelore në krahasim me produktet e ngjashme në treg.
“Së pari, është me kosto efektive. Ky lloj droni preferohet të jetë i lirë sepse nuk do ta përdorni dy herë”, tha ai.
Avantazhi i dytë është “koka” e dronit, sipas Yılmaz, ndërsa avantazhi i tretë është aftësia e tij autonome.
“Falë algoritmeve që kemi zhvilluar me veçoritë e tij të autonomisë, mendojmë se Deli do të bëjë një ndryshim të madh”, citohet të ketë thënë ai.