Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes tha se përdorimi i urisë dhe sëmundjeve infektive nga Izraeli si armë kundër popullit palestinez duke penguar plotësimin e nevojave themelore njerëzore në Rripin e Gazës nuk duhet të kalojë pa u vënë re nga komuniteti ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të MPJ-së turke lidhur me “sulmet e Izraelit në Gaza”, thuhet se zhvillimet e fundit në rajon nuk duhet të çojnë në “injorimin e gjenocidit të kryer nga Izraeli në Gaza nga komuniteti ndërkombëtar”.
Më tej në deklaratë kujtohet se sulmet e Izraelit ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë intensifikuar ditët e fundit dhe qindra palestinezë të pafajshëm janë vrarë në sulmet ndaj ndërtesave të shkollave dhe kampeve të refugjatëve.
“Përdorimi i urisë dhe sëmundjeve infektive nga Izraeli si armë kundër popullit palestinez duke parandaluar plotësimin e nevojave themelore njerëzore në Gaza nuk duhet të kalojë pa u vënë re nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
MPJ-ja turke bën thirrje që t’i ushtrohet presion i nevojshëm Izraelit për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur dhe që ndihma humanitare të arrijë në rajon pa ndërprerje. “Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat, ligjin ndërkombëtar dhe dinjitetin njerëzor të popullit palestinez”, thuhet në deklaratë.