Një 51-vjeçar nga Tirana është arrestuar në Durrës, pasi akuzohet se i ka dhënë me qira një mjet Jet Ski një turisti belg, pa marrë masat e nevojshme të sigurisë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e njohur si “Shkëmbi i Kavajës”.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga ka rënë shtetasi S. Xh., i cili përveçse lejoi përdorimin e mjetit nga një person pa leje drejtimi, ka dhënë edhe informacione të rreme gjatë hetimit të ngjarjes. Turisti belg, identifikuar si H. K., është dëmtuar gjatë manovrave me Jet Ski-n dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, rezulton se 51-vjeçari nuk kishte siguruar pajisjet e nevojshme mbrojtëse për turistin, i cili nuk ishte i licencuar për drejtimin e këtij mjeti lundrues.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme, shtetasit belg H. K., i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Gjithashtu, shtetasi S. Xh., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin.
Shtetasi H. K., që u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues, vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.