Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda nëse nuk zbatohet plotësisht ajo që ai e quan “marrëveshja e vërtetë”. Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se forcat ushtarake amerikane do të mbeten të pozicionuara brenda dhe përreth Iranit derisa marrëveshja të vihet në zbatim të plotë.
Ai theksoi se të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, të pajisur me armë dhe municione shtesë, janë të gatshëm për veprim. Sipas tij, në rast se marrëveshja dështon, do të nisë një përshkallëzim i madh ushtarak, që ai e përshkroi si “më i madhi, më i forti dhe më i fuqishmi që është parë ndonjëherë”.
Trump përsëriti dy kërkesat kryesore të SHBA-së: që Irani të mos ketë armë bërthamore dhe që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur dhe e sigurt për lundrim ndërkombëtar.
Paqartësi mbi “marrëveshjen e vërtetë”
Deklaratat e fundit vijnë në një kohë kur raportimet për një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit mbeten kontradiktore. Mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me versione të ndryshme të një plani 10-pikësh që kanë qarkulluar nga palët.
Trump ka këmbëngulur se ekziston vetëm një grup kushtesh të pranueshme për SHBA-në, ndërsa nga pala iraniane janë paraqitur disa versione të ndryshme të marrëveshjes. Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar për një plan që përfshin ndalimin e luftimeve në disa vende të rajonit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e sanksioneve amerikane.
Ndërkohë, një version tjetër i atribuar Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit përfshinte edhe pasurimin e uraniumit dhe kontrollin e Ngushticës nga Teherani, elemente që më pas janë ndryshuar në përkthimet zyrtare.
Në postimin e tij, Trump nuk përmendi një armëpushim që përfshin Libanin, një tjetër pikë e debatueshme në negociata.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa deklaratat e forta nga të dyja palët vazhdojnë të shtojnë pasigurinë mbi një marrëveshje të mundshme përfundimtare.
/rtsh.al/


