Presidenti amerikan Donald Trump tha se ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij rus Vladimir Putin, duke diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Moskë-Kiev, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetën “New York Post”, Trump nuk pranoi të specifikonte se sa herë kanë folur dy udhëheqësit, por theksoi se Putin dëshiron të shohë fundin e konfliktit.
“Ai dëshiron të shohë që njerëzit të ndalojnë së vdekuri”, tha Trump.
“Të gjithë ata njerëz të vdekur. Të rinj, njerëz të bukur. Ata janë si fëmijët tuaj, dy milionë prej tyre – dhe pa asnjë arsye”, shtoi ai.
Trump pohoi se lufta, tani në vitin e saj të tretë, “nuk do të kishte ndodhur kurrë” nëse ai do të kishte qenë president në vitin 2022. Ai e krahasoi qasjen e tij të politikës së jashtme me atë të paraardhësit të tij Joe Biden, duke thënë: “Biden ishte një turp për kombin tonë. Një turp i plotë”.
Presidenti shprehu urgjencën për zgjidhjen e luftës dhe theksoi se ka një plan konkret për ta përmbyllur atë. “Shpresoj të jetë shpejt. Çdo ditë njerëzit po vdesin. Kjo luftë është kaq e keqe në Ukrainë. Unë dua t’i jap fund kësaj gjëje të mallkuar”, tha presidenti amerikan.
– “Askush nuk dëshiron të vdesë”
Nënpresidenti J.D. Vance është planifikuar të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Konferencën e Sigurisë në Mynih javën e ardhshme.
Trump ka propozuar një marrëveshje prej 500 milionë dollarësh me Ukrainën për të siguruar akses në mineralet e rralla tokësore dhe gazin në këmbim të garancive të sigurisë në çdo marrëveshje të mundshme paqeje.
Duke folur për Iranin, Trump sinjalizoi gatishmërinë ndaj një marrëveshjeje jobërthamore, duke preferuar negociatat mbi veprimet ushtarake. “Unë do të doja një marrëveshje të bërë me Iranin për çështjet jobërthamore. Do ta preferoja këtë në vend të bombardimit…Ata nuk duan të vdesin. Askush nuk dëshiron të vdesë”.
Ai sugjeroi se një marrëveshje e tillë mund të parandalonte veprimet ushtarake izraelite. “Nëse do ta bënim marrëveshjen, Izraeli nuk do t’i bombardonte ata”. Megjithatë, ai mbeti i paqartë mbi detajet e mundshme të negociatave. “Në një farë mënyre, nuk më pëlqen t’ju them atë që do t’u them atyre. E dini, nuk është mirë”, tha Trump