Pas shpalljes së armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit, tensionet u rindezën brenda pak orësh, pasi Tel Avivi akuzoi Teheranin për shkelje të marrëveshjes, duke pretenduar se dy raketa u lëshuan në drejtim të territorit të tij. Akuzat u mohuan menjëherë nga autoritetet iraniane, të cilat thanë se “nuk është qëlluar asnjë raketë ndaj armikut”.
Në përgjigje të kësaj situate, Izraeli paralajmëroi një sulm hakmarrës, në një operacion të mundshëm ushtarak. Kjo lëvizje shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ndërhyri publikisht përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social.
“Izrael, mos hidh ato bomba. Nëse e bën, është një shkelje e rëndë. Ktheji pilotët në shtëpi, tani!”- shkroi Trump.
Përmes këtij mesazhi të drejtpërdrejtë, Trump urdhëroi Izraelin të ndalojë çdo veprim ushtarak të mëtejshëm ndaj Iranit, duke e cilësuar sulmin si “një shkelje të madhe” të marrëveshjes për armëpushim.