Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e sotme fshatin Labinot-Fushë në Elbasan, ku dy fëmijë të mitur, të moshës 8 dhe 10 vjeç, kanë humbur jetën tragjikisht pasi u mbytën në lumin Shkumbin.
Sipas informacioneve paraprake, dy vëllezërit ishin së bashku me nënën e tyre duke ruajtur bagëtitë, kur vendosën të hynin në ujë për t’u larë. Por rrjedha e fortë dhe mungesa e çdo mase sigurie bënë që ata të mos mund të dilnin më në breg.
Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht trupat e pajetë të fëmijëve u gjetën pak më vonë në një kanal të poshtëm të lumit.
Ndërkohë kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.