Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar në lidhje me vendosjen e tritolit në automjetin e Oltion Klosit në Tiranë.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se për Sabah Nuzin, i dyshuar si porositësi, dhe Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Eklips Leti dhe Kristjan Ahmerama ësht caktuar masa e arrestit në burg, ndërsa për Glentjan Kojtari dhe Dorjan Hamolli është vendosur masa “arrest në shtëpi”, dhe për Geris Molla “detyrim paraqitje”.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 10 mars në Tiranë, ku një sasi eksplozivi u vendos në automjetin e Klosit dhe shpërtheu me telekomandë. Dyshohet se motivi lidhet me një konflikt për pazare droge. Prokuroria thekson se Nuzi, edhe pse në burg, ka organizuar ngjarjen si hakmarrje për një borxh të pakthyer, ndërsa Jurgen Gjonaj dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse.
Personat e tjerë akuzohen se kanë ndihmuar me informacione, sigurimin e eksplozivit dhe organizimin e largimit pas atentatit. Nga ana e tij, Nuzi ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe duke kërkuar kujdes në publikimin e informacionit.


