Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Dhërmi të qarkut Vlorë, teksa Policia arrestoi një çift të rinjsh, ku vajza është e mitur, për një sërë akuzash.
Të dyshuarit kishin shkuar më qytetin bregdetar me pretendimin për të blerë një makinë “Land Rover”, por duket se në mungesë të pronarit 17-vjeçarja ka preferuar ta vjedhë dhe në arrati e sipër, duke bërë manovra gjatë ndjekjes policore, e ka përplasur në Palasë pasi humbi kontrollin e makinës (foto kryesore).
“Në përfundim të veprimeve, shtetasi N. Xh., 25 vjeç, banues në Durrës, u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17-vjeçarja u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”, bënë me dije burime zyrtare.
Nga përplasja ka vetëm dëme materiale, teksa policia tha se e ndaluan të miturën bashkë me 25-vjeçarin që e priste në lagjen “Kushtrimi” të qytetit dhe po vijojnë hetimet e rastit për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe shkaqeve.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme (30 prill), në aksin Dhërmi-Vlorë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
“Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë se në Dhërmi ishte vjedhur një automjet tip “Land Rover”, organizuan punën, ku falë reagimit të shpejtë bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjetit.
Drejtuesja e automjetit nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe, gjatë manovrave për t’u larguar, ka shkaktuar dëmtime në automjetin e vjedhur.
Në përfundim të veprimeve, shtetasi N. Xh., 25 vjeç, banues në Durrës, u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17-vjeçarja u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
Nga hetimet paraprake rezulton se, më datë 30.04.2026, në orët e mbrëmjes, dy shtetasit kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tip “Benz”, fillimisht me qëllim blerjen e një automjeti tip “Land Rover”, në përdorim nga një shtetas banues në Tiranë. Duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja kishte ndezur automjetin dhe ishte larguar pa lejen e tij.
Po nga hetimet rezultoi se 17-vjeçarja, e cila kishte marrë automjetin “Land Rover”, kishte bashkëpunuar me një 25-vjeçar, i cili u kap në lagjen “Kushtrimi”, në Vlorë, ndërsa automjetin me të cilin kishte shkuar në Dhërmi e kishte përplasur në Palasë dhe e kishte braktisur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, automjeti që u tentua të vidhej dhe automjeti i autorëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”.


