Një tentativë grabitjeje është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Pogradecit, ku shënjestër ka qenë një argjendari në pronësi të Lytfi Alisë.
Pronari i biznesit bën me dije se kjo nuk është hera e parë që argjendaria e tij sulmohet. Sipas tij, në raste të mëparshme autorët kanë arritur të marrin sende me vlerë, duke shkaktuar dëme që kapin shifrën mbi 15 mijë euro.
Ndryshe nga rastet e kaluara, këtë herë tentativa ka dështuar. Pas aktivizimit të sistemit të alarmit, autorët janë larguar pa arritur të marrin asgjë.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, në ngjarje janë përfshirë tre persona të maskuar, të cilët kanë arritur të hapin derën e dyqanit duke përdorur një kriko makine.
“Në orën 3:30 është hapur dyqani me kriko, ka rënë sistemi i alarmit dhe kanë ikur ata. Nuk kanë marrë absolutisht asnjë gjë. Dyqani im është vjedhur mbi tre herë gjatë kohës që unë e kam hapur si biznes. Edhe dy herët e para nuk janë kapur autorët. Të shikojmë këtë radhë. Dëmi ka qenë i madh, mbi 15 mijë euro (në vjedhjet e tjera). Kemi frikë për biznesin, nuk shesim dot, nuk qëndrojmë dot. Nuk është e njëjta dorë, se dyqani im është vjedhur para 15 vitesh atë herë. Ra alarmi prandaj s’vodhën dot gjë dhe janë larguar. Kur kam ardhur unë s’më la policia të hyja brenda. Mbaroi policia veprimet, pashë gjendjen dhe s’ishte marrë asnjë gjë. Kamerat e sigurisë i kanë filmuar autorët por ata janë me maska. Ishin 3 persona”, ka dëshmuar Lytfi Aliaj.
Pronari i argjendarisë apelon për reagim nga autoritetet, duke theksuar se bëhet fjalë për një rast të përsëritur dhe kërkon identifikimin dhe kapjen e autorëve.


