Kryetari i Bashkisë së Maliqit, ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Maliqit, ku humbën jetën Merjeme Azizllari dhe djali i saj i madh 14 vjeç, L. Azizllari, si pasojë e asfiksisë nga tymi në banesën e tyre.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai e cilësoi ngjarjen si “tronditëse” dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, duke theksuar se Bashkia qëndron pranë tyre në këtë moment të vështirë.
“Në këto momente dhimbjeje të thellë, Bashkia e Maliqit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këtë situatë kaq të rëndë. Ngjarje të tilla na kujtojnë sa e brishtë është jeta dhe sa e rëndësishme është të jemi pranë njëri-tjetrit në ditë të vështira”, shkruan ai.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Bashkia do të mbulojë të gjitha shpenzimet që lidhen me rastin tragjik.
Kujtojmë se vajza e vogël 6-vjeçare, e vetmja e mbijetuar nga tragjedia, është transportuar me urgjencë drejt QSUT-së në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën, për shkak të djegieve të shumta në trup.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele (19 tetor) rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq. Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët e saj kishin mbetur të plagosur, por më pas u mësua se gruaja, Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë brenda në shtëpi.
Më vonë, ndërroi jetë në spital edhe djali i saj i madh, 14 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve vazhdon të jetë 6 vjeçarja.
Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.