Partia Demokratike i ka shprehur ngushëllime familjes Basha, pas vdekjes së Bashkim Bashës, i cili ishte viktima e katërt e Dobraçit.
PD shprehet se është e nevojshme të krijohet komisioni i së vërtetës, në mënyrë që zbulohen dhe dënohen “lidhjet qeveri-polici-drejtësi-krim”.
“Partia Demokratike qëndron fort pas propozimit për Komisionin Parlamentar të së Vërtetës. Vetëm duke zbuluar dhe dënuar lidhjet qeveri-polici-drejtësi-krim rrethi i vdekjes dhe terrorit do të ndalet”-thuhet në njoftim.
Njoftimi i PD
Masakra e Shkodrës, me tri viktima, është përmbyllur dje me vdekjen nga plagët e marra të Bashkim Bashës, bashkëshort i Fluturës që mbeti e vrarë më 30 tetor.
Partia Demokratike i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Basha në këtë tragjedi të dyfishtë.
Gjaku i katër të vrarëve në lagjen Dobraç duhet të rëndojë mbi shkaktarët e vërtetë, pushtetin e inkriminuar të Edi Ramës, që mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me bandat.
Terrori i 30 tetorit, kundër të cilit opozita dhe qytetarët e Shkodrës organizuan marshimin e protestës më 2 nëntor, i ka rrënjët pikërisht te leja që pushteti u jep bandave për të vepruar të lira, pasi narko-kriminelët e kanë ndihmuar të rrëmbejë zgjedhjet.
Pas vjedhjes të zgjedhjeve bandat kërkojnë edhe sigurinë, jetën, qetësinë dhe rendin e Shkodrës dhe të Shqipërisë e qytetarëve shqiptarë.
Partia Demokratike qëndron fort pas propozimit për Komisionin Parlamentar të së Vërtetës. Vetëm duke zbuluar dhe dënuar lidhjet qeveri-polici-drejtësi-krim rrethi i vdekjes dhe terrorit do të ndalet.
Të pafajshmit e Shkodrës, dhe viktima të tjera atentatesh në të gjithë vendin, duhen rehabilituar, më së pari duke zbuluar dhe dënuar fajtorët.
Së dyti, duke siguruar se nuk ka amnisti për ata që kanë ua kanë shitur partnerëve në krim rendin dhe sigurinë publike, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin.
Pa një qeveri teknike asnjanëse, kjo amnisi nuk do të ndalet sepse do të vazhdojë përdorimi i bandave në zgjedhje dhe më pas dëmshpërblimi i tyre me territore dhe liri lëvizje e veprimi.
Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.
Vdekja e Bashkim dhe Flutura Bashës
Bashkim Basha ndodhej prej 4 ditësh në spital në gjendje të rëndë, por sot (3 nëntor) raportohet se ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
67-vjeçari Bashkim Basha dhe gruaja e tij, Flutura Basha ishin duke udhëtuar me motor, por u përplasën nga makina ku ndodhej Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndaj të cilëve u krye atentati nga persona ende të paidentifikuar.
Lici dhe Bushati ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra nga breshëria e plumbave, ndërsa çifti i bashkëshortëve humbën jetën krejt rastësisht dhe pa asnjë faj.