Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin e Katerinit, në Greqi, ku një vajzë shqiptare 14-vjeçare humbi jetën pas një rënieje tragjike nga një urë rreth 10 metra e lartë.
Sipas mediave greke, incidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës dhe e mitura pësoi dëmtime të rënda. Fillimisht ajo u transportua me urgjencë në spitalin e Katerinit, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërgua më pas në spitalin “G. Gennimatas” në Selanik dhe më vonë në “Ippokrateio”.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, vajza nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Deri më tani është përjashtuar pista e një akti kriminal, por mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një aksident apo diçka tjetër.