Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Panaja të Vlorës, ku një konflikt mes dy të rinjve ka rrezikuar të përshkallëzohet në përplasje të armatosur.
Policia ka arrestuar 28-vjeçarin Kejvi Bendaj, i cili theu masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me thikë një 34-vjeçar me inicialet B. B., si dhe i ka dëmtuar automjetin.
Pas ngjarjes, i plagosuri ka shkuar në banesën e Kejvi Bendaj dhe, në shenjë hakmarrjeje, i ka dëmtuar makinën, ndërsa e ka kërcënuar me një armë gjahu që e posedonte pa leje.
Policia ndërhyri në kohë dhe parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
34-vjeçari i plagosur mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, ai është proceduar penalisht për kanosje me armë zjarri dhe dëmtim prone.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Ndërhyrja e Policisë parandalon përshkallëzimin e një konflikti ndërmjet 2 shtetasve, në fshatin Panaja.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, goditi me thikë një 34-vjeçar dhe i dëmtoi automjetin, vihet në pranga 28-vjeçari.
Procedohet penalisht edhe 34-vjeçari, sepse kanosi me armë gjahu 28-vjeçarin dhe i dëmtoi automjetin.
Sekuestrohet arma e gjahut e përdorur për kanosjen.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur në fshatin Panaja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë ndërhynë në kohë dhe parandaluan përshkallëzimin e tij, që mund të kishte sjellë pasoja të rënda.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 28 vjeç, banues në Panaja, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. B (H)., 34 vjeç.
Shtetasi K. B. dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me thikë shtetasin B. B. dhe i ka dëmtuar automjetin atij. Më pas, shtetasi B. B ka shkuar te banesa e shtetasit K. B., i ka dëmtuar automjetin dhe e ka kanosur atë, me një armë gjahu të cilën e posedonte pa leje.
Shtetasi B. B. mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.