Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, ka bërë një reagim për udhëzimin e ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në Shërbimin e Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUT).
Ajo tha se udhëzuesi mbi trajtimin hormonal përbën një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Sipas saj, ky udhëzues është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si edhe të vlerësimit të një ekipi multidisiplinar specialistësh.
Tomini thotë se dokumenti ka si qëllim orientimin e profesionistëve të shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim dhe nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri.
Sipas saj, udhëzuesi i referohet vetëm të rriturve të këtij target grupi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e konsentit individual të informuar.
Në lidhje me çështjen e rimbursimit, Tomini deklaroi se udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Dokumenti përfshin vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale, bazuar në praktikat klinike ndërkombëtare.
“Ky udhëzues konsiderohet një udhëzues orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Ai orienton profesionistët shëndetësorë në procesin e rekomandimit apo referimit mbi terapinë hormonale për individët që janë të interesuar për këtë shërbim. Udhëzuesi mbështetet në praktikat dhe rekomandimet ndërkombëtare si dhe në vlerësimin e një ekipi multidisiplinar me specialist klinicist, profesionist psikosocial, specialit të shëndetit mendor.
Çdo rast vlerësohet individualisht nga ekipi multidisiplinar dhe nëse individi ka patologji të caktuara mund të përjashtohet nga ky udhëzim në varësi të vlerësimit klinik. Ky udhëzues ka karakter thjesht klinik dhe zbatohet në nivel universitar si strukturë referente për terapinë hormonale. Udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Në to përfshihen vetëm rekomandimet të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale sipas praktikave klinike.”, tha Tomini.


