Një përpjekje për grabitje në Salerno të Italisë ka përfunduar me të shtëna armësh dhe një të plagosur. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur tre shtetas shqiptarë u futën në një banesë me qëllim vjedhjeje, por u përballën me rezistencën e armatosur të pronarit.
Burri, i cili e zotëronte armën me leje të rregullt, nuk hezitoi të qëllonte sapo vuri re praninë e grabitësve në shtëpinë e tij. Si pasojë, njëri prej autorëve mbeti i plagosur dhe u transportua me urgjencë në spital nga shërbimi i ndihmës së shpejtë.
Dy shqiptarët e tjerë arritën të largohen dhe janë aktualisht në arrati. Hetuesit dyshojnë se mund të ketë edhe një të dytë të plagosur, por kjo mbetet ende për t’u verifikuar.
Nga hetimet paraprake, rezulton se autorët kanë hyrë me forcë në banesën private. Reagimi i menjëhershëm i pronarit i ka vënë në ndjekje, duke shmangur një vjedhje të mundshme, por duke përfunduar me pasoja të rënda për të paktën njërin prej tyre.