Një ngjarje shqetësuese është zbuluar nga Policia e Korçës, ku një shtetas ka tentuar të vetëvritet pas presioneve të vazhdueshme për dhënie pasurie. Dy persona dyshohet se kanë dërguar mesazhe kërcënuese ndaj viktimës, duke ndikuar rëndë në gjendjen e tij psikologjike.
Sipas njoftimit zyrtar, më datë 28 qershor 2025, shtetasi E. L. ka tentuar të vetëvritet duke konsumuar klor, pas kërcënimeve që i ishin bërë përmes mesazheve. Ngjarja është raportuar një ditë më vonë nga Policia e Korçës.
Si rezultat i hetimeve, është shpallur në kërkim shtetasja V. K., 43 vjeçe, banuese në Vlorë, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi R. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, për përfshirje në këtë skemë kërcënimesh.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 29-vjeçarit E. L., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një armë sportive të mbajtur pa leje, si dhe një shumë eurosh të dyshuara si të falsifikuara.
Policia njofton se po vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të kapur shtetasen e shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë:
-shpallën në kërkim shtetasen V. K., 43 vjeçe, banuese në Vlorë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur shtetasin E. L., nëpërmjet mesazheve telefonike, për dhënie pasurie. Këto mesazhe dyshohet se kanë rënduar gjendjen psikologjike të shtetasit E. L., i cili më datë 28.06.2025, tentoi të vetëvritej, duke konsumuar një substancë kimike (Klor). Për këtë rast Policia e Korçës ka dhënë njoftim për median, më datë 29.06.2025. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e 29-vjeçarit, u gjet 1 armë sportive të cilën e mbante pa leje, si dhe një shumë eurosh të dyshuara false. Punohet për kapjen e 43-vjeçares, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, punohet për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit.