TIRANË- Një incident ka ndodhur ditën e sotme në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku shërbimet e qarkullit rrugor kanë konstatuar një automjet i cili nuk po zbatonte rregullat.
Drejtuesi i mjetit, nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë rrugore dhe ka tentuar të largohet ku si pasojë ka përplasur një 61-vjeçar me iniciale, D.B., pranë shkollës “Vasil Shanto”. Më pas, mjeti gjatë tentativës për tu larguar ka përplasur edhe një mjet tip taksi.
Sipas raportimit të policisë, menjëherë pas këtij incidenti, blutë janë vënë në lëvizje dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij në ish sheshin “Shqiponja”. Drejtuesi i mjetit, 30-vjeçari me iniciale D.Sh., ka rezultuar në gjendje të dehur dhe si pasojë është vënë në prangat e policisë.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, ditën e sotme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë konstatuar një automjet, drejtuesi i të cilit nuk rregullonte shpejtësinë në zonat e banuara dhe përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.
Duke vlerësuar riskun që ky shtetas paraqiste duke drejtuar mjetin në mënyrë jo të rregullt, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit, drejtuesi i të cilit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka aksidentuar shtetasin D. B., 61 vjeç, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe më pas, në rrugën “Sulejman Delvina”, ka përplasur një mjet tip taksi dhe është larguar.
Në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit, drejtuesi i të cilit, pas testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi D. Sh., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.



