Një 48-vjeçar shqiptar është vendosur në paraburgim nga autoritetet greke, pasi akuzohet për përpjekje për rrëmbimin e një vajze 4-vjeçare, teksa fëmija ndodhej në krahët e nënës së saj.
Sipas raportimit nga mediat greke, i dyshuari u paraqit për të dëshmuar para gjykatës në rajonin e Ilisë, ku u përball me akuza për tentativë rrëmbimi të mituri, dhunë fizike ndaj një gruaje dhe rezistencë ndaj forcave të rendit.
Me dakordësinë e gjykatëses hetuese dhe prokurorit, u vendos që 48-vjeçari të dërgohet në burgun e Korydallos, një nga institucionet më të mëdha penitenciare në Greqi.
Gjatë procesit hetimor, i pandehuri nuk kishte avokat mbrojtës, ndaj gjykata i caktoi një mbrojtës sipas detyrës.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi në zonën e Kakovatos, kur nëna, motra dhe gjyshja e vajzës së mitur ndodheshin në shëtitje me fëmijët. Papritur, 48-vjeçari u afrua dhe u përpoq me forcë të rrëmbente vajzën nga duart e nënës.
Në tentativë për ta ndaluar, ndërhynë menjëherë motra dhe nëna e gruas, ndërsa zhurma dhe thirrjet alarmuan edhe një sipërmarrës lokal që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
I dyshuari u largua me shpejtësi dhe u fsheh në një pyll të afërt, ku më pas u lokalizua nga policia. Pavarësisht rezistencës që bëri gjatë arrestimit, ai u neutralizua dhe u prangos.