Një fluturim i kompanisë SkyWest Airlines, me destinacion Detroit, është detyruar të bëjë një ulje emergjente të enjten në mbrëmje, pasi një pasagjer u bë agresiv dhe tentoi të hapte derën e emergjencës në mes të fluturimit.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), fluturimi SkyWest 3612, i nisur nga Omaha rreth orës 17:30 me orën lokale, u devijua dhe bëri ulje të menjëhershme në aeroportin Eastern Iowa, në Cedar Rapids, pas një incidenti të rëndë në bord.
Autori i incidentit është identifikuar si Mario Nikprelaj, 23 vjeç, me profesion kuzhinier, i cili, sipas njoftimit të policisë lokale, u përfshi në një konflikt fizik me një anëtar të ekuipazhit dhe më pas tentoi të hapte derën e avionit, duke rrezikuar jetën e 67 pasagjerëve që ndodheshin në bord.
Piloti ka raportuar menjëherë situatën në kullën e kontrollit të trafikut ajror, duke kërkuar ulje të menjëhershme për shkak të rrezikut. Menjëherë pas uljes, autoritetet arrestuan Nikprelajn, i cili tani përballet me akuza të shumta, përfshirë:
- Prishje të rendit publik
- Sulm fizik
- Posedim i paligjshëm i barnave me recetë
- Shkelje të taksave për substanca të kontrolluara
- Ngacmim në shkallën e parë
Policia ka deklaruar se po shqyrton edhe akuza të tjera të mundshme për sjelljen e rrezikshme të të riut, ndërsa hetimet vazhdojnë.