Një 43-vjeçar është proceduar penalisht, pasi u kap nga policia kufitare e Vlorës duke tentuar të hynte në territorin e Shqipërisë me 45 600 euro të padeklaruara.
Sipas Policisë së Vlorës, rasti u zbulua si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje-dalje të vendit, të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore. Operacioni kishte për qëllim parandalimin dhe evidentimin e paligjshmërive në kufi, përfshirë dhe rastet e mosdeklarimit të vlerave monetare.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 43-vjeçarit ka nisur procedimi penal për veprën penale të “Mosdeklarimit të të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”, sipas parashikimeve të Kodit Penal.
Njoftimi i policisë
Port Vlorë- Kontrolle të shtuara nga shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Tentoi të hynte në territorin e Republikës së Shqipërisë, me 45 600 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 43-vjeçari.
Sekuestrohet shuma e parave.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, kanë goditur një rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të një shume të konsiderueshme parash.
Për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. R., 43 vjeç, pasi gjatë kontrollit në vijën e dytë, në automjetin e tij tip furgon, u gjetën 45 600 euro që ai synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa i deklaruar konform ligjit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.