Situata ndërkombëtare rreth Groenlandës dhe raportet mes SHBA-ve, Evropës dhe Rusisë po bëhen gjithnjë e më të tensionuara. Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, ka folur nga Varshava për një skenar që, sipas tij, “të frikëson”, duke mos përjashtuar megjithatë mundësinë e një marrëveshjeje me presidentin amerikan, Donald Trump.
Sikorski ka nisur deklaratat e tij për Corriere della Sera duke akuzuar Rusinë për propagandë. Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin që nga fillimi i luftës pretendon se po “çliron vëllezërit ukrainas”, ndërkohë që në realitet i lë ata në të ftohtë dhe në errësirë, pikërisht gjatë dimrit më të ashpër.
I pyetur për shqetësimet daneze se një pushtim i Groenlandës nga Trump do të sillte fundin e NATO-s, Sikorski ka kujtuar historinë e dhimbshme të Polonisë.
“Ne kemi përjetuar ndarjen e territorit tonë nga vende më të fuqishme. Një botë ku shtetet e mëdha marrin pa pasoja territoret e fqinjëve është një botë ku njerëzit ngrijnë në shtëpitë e tyre dhe mund të bombardohen në çdo moment”, ka thënë ai. Kryeministri polak, sipas tij, ka firmosur deklaratën e Parisit në shenjë solidariteti me Danimarkën, duke theksuar se kushtetutat e Danimarkës dhe Groenlandës u japin qytetarëve të drejtën të vendosin vetë se me kë duan të jenë.
Ministri polak ka pranuar se ekziston rreziku që kjo krizë të dobësojë aftësinë e Evropës për të garantuar sigurinë e Ukrainës dhe për t’u mbrojtur nga ekspansionizmi rus.
“Ne duam të jemi aleatë të mirë të SHBA-ve, por Danimarka është një partner shumë më i afërt gjeografikisht dhe thelbësor për kontrollin e Detit Baltik. Shpresojmë të mbizotërojë arsyeja”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Groenlanda, ndryshe nga raste të tjera, është një demokraci që respekton ligjin dhe NATO-n dhe duhet trajtuar si e tillë.
Sa i përket dërgimit të forcave polake në Groenlandë, Sikorski ka sqaruar se Polonia nuk do të marrë pjesë në misione të tilla ushtarake. Sipas tij, këto iniciativa synojnë të qetësojnë shqetësimet ndaj ambicieve ruso-kineze në Arktik, por në Poloni vendimi për misionet jashtë vendit i takon presidentit dhe me koalicionin aktual do të ishte e vështirë. Megjithatë, ai ka njoftuar se do të dërgojë ambasadorin polak në Kopenhagen për një mision eksplorues në Groenlandë.
Duke folur për një kompromis të mundshëm me Trump për të ruajtur arkitekturën e mbrojtjes evropiane pas vitit 1945, Sikorski ka thënë se gjithçka varet nga synimet e presidentit amerikan.
“Nëse ai synon të zgjerojë territorin amerikan, mundësitë tona janë të kufizuara. Por nëse kërkon të garantojë sigurinë e Groenlandës nga superfuqitë e tjera, atëherë ka hapësirë të madhe për marrëveshje”, ka deklaruar ai.
Ministri polak e ka quajtur situatën “shumë serioze”, duke kujtuar se NATO-ja ka përjetuar edhe më parë konflikte të brendshme, si ai mes Greqisë dhe Turqisë në vitin 1974, dhe se kjo është një përvojë që nuk duhet përsëritur.
Sa i përket përshpejtimit të integrimit të Ukrainës në BE, Sikorski ka theksuar se çdo vend duhet të respektojë rreptësisht kriteret e anëtarësimit.
“Kjo vlen për të gjithë, edhe për Kievin”, ka thënë ai, duke përmendur edhe shqetësimet për standardet demokratike në disa vende anëtare.
Në lidhje me idenë e një ushtrie evropiane, Sikorski ka përsëritur se prej kohësh mbështet nevojën për një mbrojtje evropiane më të fortë, sidomos në skenarë ku SHBA-të mund të mos jenë në gjendje të ndërhyjnë, për shembull nëse është e angazhuar në Paqësor. Ai ka nënvizuar se që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, Evropa ka dyfishuar investimet në mbrojtje dhe se nëse të 27 vendet e BE-së shpenzojnë 3,5% të buxhetit për këtë sektor, do të krijohet një fuqi parandaluese e krahasueshme me atë amerikane.
Sikorski ka përjashtuar krijimin e një ushtrie të përbashkët evropiane përmes bashkimit të forcave kombëtare, por ka propozuar krijimin e një njësie vullnetare nën autoritetin e BE-së, të financuar nga buxheti evropian, për ndërhyrje emergjente.
“Nuk duhet të vrapojmë gjithmonë të kërkojmë ndihmën e SHBA-ve”, ka përfunduar ai.
/tvklan.al


