Media prestigjioze britanike, “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull tensioneve të krijuara mes opozitës dhe mazhorancës në seancën e sotme plenare (18 dhjetor) në Kuvend si edhe faktit se zv/kryeministrja Belinda Balluku po mban postin edhe pse SPAK kërkon autorizimin nga Kuvendi për arrestimin e saj.
Artikulli i The Telegraph
Kuvendi i Shqipërisë u përfshi nga kaosi të enjten, pasi deputetë të opozitës ndezën flakadanë dhe hodhën ujë, në një përplasje të ashpër lidhur me akuzat për korrupsion ndaj qeverisë.
Deputetët u përleshën me gardën, hodhën shishe në drejtim të kryetares së Kuvendit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë, duke ndërprerë seancën parlamentare në Tiranë.
Ata kërkuan transparencë mbi akuzat e ngritura ndaj Belinda Ballukut, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Znj. Balluku, aleatja më e afërt në kabinet e kryeministrit Edi Rama, akuzohet se ka ndërhyrë në procesin e prokurimeve publike në disa projekte të mëdha infrastrukturore. Këto përfshijnë Unazën e Madhe të Tiranës dhe një projekt tuneli me vlerë 190 milionë euro.
Ajo i hodhi poshtë akuzat muajin e kaluar, duke i cilësuar si “shpifje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, ndërsa u shpreh e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë.
Pavarësisht se ndaj saj është lëshuar një urdhër-arrest nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, znj. Balluku vijon të mbajë detyrën. SPAK i ka kërkuar Kuvendit t’i heqë imunitetin dhe të lejojë arrestimin e saj. Një votim pritet të mbahet të premten. Partia Socialiste e kryeministrit Rama ka shumicën në Kuvend, me 83 nga 140 mandate.
Kryeministri Rama ka mbrojtur zv/kryeministren e tij, duke deklaruar se ajo po i nënshtrohet presionit “antikushtetues dhe antidemokratik”.
Partia Demokratike e opozitës ka akuzuar Partinë Socialiste në pushtet për manipulim zgjedhor dhe për minimin e demokracisë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u bëri thirrje deputetëve të “respektojnë institucionin e parlamentit”, duke shtuar: “Nuk mund ta shkatërrojmë shtetin në këtë mënyrë.”
Deputetët e opozitës shpalosën pankarta ku krahasonin kryeministrin Rama me diktatorin panamez Manuel Noriega, duke e quajtur atë “Noriega i Europës”.
Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, akuzoi kryeministrin se po “i jep mbrojtje politike zv/kryeministres së tij”.
Znj. Balluku, ministre e Energjisë që prej vitit 2019 dhe zv/kryeministre që nga viti 2022, është zyrtarja më e lartë shtetërore e akuzuar ndonjëherë nga Prokuroria e Posaçme.
Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të avancuara në Ballkanin Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Europian, por organizatat ndërkombëtare vëzhguese theksojnë se vendi vijon të përballet me korrupsion të përhapur dhe përqendrim të pushtetit nga Partia Socialiste, e cila është në qeveri që prej vitit 2013.


