Gazetarja Klodiana Lala raporton se Prokuroria e Posaçme, ka nisur hetimet për tenderin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke thirrur për marrjen e dëshmive anëtarët e komisionit të vlerësimit, dy prej të cilëve janë marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas Lalës, ka dyshime të forta se procedurat e barazisë janë shkelur gjatë vlerësimit të ofertave dhe ekziston mundësia që fituesi i kontratës të jetë paracaktuar.
“SPAK, pasi gati një viti hetimesh, ka arritur në konkluzion dhe ka dyshime të forta se kontrata koncensionare për aeroportin e Vlorës është lidhur mbi bazën e shkeljes së barazisë në tendera dhe, po ashtu, rezulton sipas Prokurorisë se gara për shpalljen fituese të kompanive është e paracaktuar”, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Lala bën me dije se hetimi njëvjeçar është drejtuar nga Prokurori i Posaçëm, Klodian Braho, i cili pak ditë më parë ka thirrur dhe u ka komunikuar akuzën për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera dy anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave
Sipas saj, nga hetimi ka rezultuar se gjatë vlerësimit të kompanive në garë është shkelur barazia dhe kompania fituese ka të gjitha gjasat të jetë e paracaktuar. Gazetarja bën me dije se koncensioni i aeroportit të Vlorës u vu nën hetim paraprak në korrik 2025 nga SPAK, pas një kërkese qytetari, emri i të cilit nuk u bë publik.
“Prokuroria nuk dha detaje mbi personat e përfshirë, por tashmë, një vit më vonë, janë marrë të pandehurit e parë lidhur me projektin kontrovers, i cili po ashtu është nën hetim edhe nga Prokuroria e Tiranës për shkak të përplasjes së dy aksionarëve kryesorë, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi”, tha ajo.
Po ashtu gazetarja theksoi se ka dyshime të forta se në këtë aferë janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë.
Klodiana Lala: SPAK, pasi gati një viti hetimesh, ka arritur në konkluzion dhe ka dyshime të forta se kontrata koncensionare për aeroportin e Vlorës është lidhur mbi bazën e shkeljes së barazisë në tendera dhe, po ashtu, rezulton sipas Prokurorisë se gara për shpalljen fituese të kompanive është e paracaktuar.
Hetimi gati njëvjeçar është drejtuar nga Prokurori i Posaçëm, Klodian Braho, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Posaçme, i cili pak ditë më parë ka thirrur dhe u ka komunikuar akuzën disa personave për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Bëhet fjalë për anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, sepse nga hetimi ka rezultuar se gjatë vlerësimit të kompanive që ishin në garë është shkelur barazia dhe kompania fituese ka të gjitha gjasat të jetë e paracaktuar.
Pavarësisht se ky hetim është mbajtur në sekret të plotë, burime bëjnë me dije për News 24 se veprat penale të shkeljes së barazisë së tenderave u janë komunikuar këtyre personave për shkak se mund të parashkruhet, por nga ana tjetër, është duke u hetuar edhe për vepra më të rënda penale, sikurse janë ajo e korrupsionit apo vepra penale e pastrimit të parave.
Koncensioni i aeroportit të Vlorës u vu nën hetim paraprak në korrik të vitit 2025 nga ana e SPAK dhe u bë me dije nga kjo e fundit mbi bazën e kërkesës së bërë nga një qytetar, emri i të cilit nuk u bë publik. Prokuroria e Posaçme nuk dha shpjegime të mëtejshme se mbi çfarë po hetonte dhe kush ishin personat që kishin vënë nën hetim, por tashmë, një vit më vonë, prokurorët kanë marrë të pandehurit e parë në lidhje me këtë projekt kontrovers, i cili po ashtu është nën hetim edhe nga Prokuroria e Tiranës për shkak të përplasjes së dy aksionarëve kryesorë, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.
SPAK ka komunikuar akuzat e shkeljes së barazisë në tendera për dy anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave pasi janë gjetur shkelje ndërkohë që po vijon hetimi lidhur për vepra të tjera penale, thonë burimet për News24.
Hetimet janë duke vijuar dhe në vijim do të ketë edhe detaje të reja sa i përket zyrtarëve të lartë të përfshirë në këtë çështje se prokurorët kanë dyshime të forta se kompanitë fituese janë të paracaktuara dhe ka dyshime se janë të përfshirë zyrtarë të lartë.

