Shqiptarët janë populli që protestojnë edhe më shumë se vendet e tjera të botës, por problemi kryesor është se nuk gjejnë zgjidhje për hallet e tyre as në pushtetin lokal dhe as në atë qendror, kurse politika përpiqet t’i kapë të gjitha këto protesta kur janë të ndjeshme.
Kështu u shpreh sot në “Studio 24” aktori dhe aktivisti politik Gent Kame, ish-kandidat për deputet i Lëvizjes Shqipëria Bëhet.
Duke e nisur analizën e tij të pyetjes se “përse nuk protestojnë shqiptarët?” nga çështja e Teatrit Kombëtar, ai shpjegoi se nuk ka qenë kundër ndërtimit të një të riu nga qeveria, por shqetësim në vendin tonë mbetet gjithnjë mungesa e investimeve në teatro, abuzimi dhe vjedhja.
“Nëse një qeveri sa do inat ta kemi bën një teatër kombëtar, le ta bëjë. Një skenë me gjerësi 16 metra, duhej bërë, kam qenë nga krahu i kundërt i protestuesve për këtë rast. Unë kam qenë pro një teatrit të ri kombëtar, rritje të buxhetit për kinematë. Tirana duhet të ketë të paktën 20 teatro. Problemi është pse nuk ndërtohen teatro të rinj, sepse vidhet dhe abuzohet”, tha aktori për “News 24”.
Por ai ishte kundër perceptimit të komentuar se shqiptarët nuk ngrihen për protesta. Kame shpjegoi se shqiptarët protestojnë për gjithçka, por kanë disa problematika, si mungesa e zgjidhjes, mungesa e sindikatës, e frymës dhe tentativës së politikës për të kapur këto protesta në forma të ndryshme.
“Unë nuk jam dakord me konstatimin se shqiptarët nuk protestojnë. Unë mendoj se shqiptarët janë ndër popujt që protestojnë më shumë. Shqiptarët dalin për rrugët, për ujin, në fshat e qytet, protestojnë edhe më shumë se të huajt. Por nuk gjejnë zgjidhje. As te pushteti qendror dhe as ai lokal. Por ka një problem kryesor, sepse ka politizim. Jemi vend i vogël dhe i varfër, pra lehtësisht të kontrollueshëm. Po rritet mosha mesatare, ka shumë me moshën mbi 60 vjeç. Për çfarë do dalin, për të njëjtët njerëz, për të njëjtën politikë? Pra nuk frymëzon më kjo politikë. Është komb i dëshpëruar, nuk gjen zgjidhje, është e lidhur me politikën domosdoshmërisht. Dhe problemi tjetër, nuk ke sindikata”, komentoi aktivisti politik.
Dhe më tej Kame nënvizoi se politika gjithmonë përpiqet të përfitojë nga protestat, sikundër ishte ajo e studentëve.
Ai mendon se vetëm forcat e reja politike mund të sjellin zgjidhje dhe ndryshim dhe më e rëndësishmja ishte që duhej krijuar frymë.
“Gjithmonë del njëri që përfiton nga kjo ngritje e shqiptarëve, njëra ka qenë ajo e studentëve që dha edhe rezultat. U mundua ta kapte politika dhe u zbeh. Duhen forca të reja politike, flasim edhe për Shqipëria Bëhet. Dalja e forcave të reja është shenjë proteste, doli forcë e tretë më 11 maj. Duhet bërë thirrje klasës politike, duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor. Por mbi të gjitha duhet frymë dhe nuk ka frymë”, tha Kame.


