Lejet e drejtimit ndaj drejtuesve që kryejnë shkelje të rënda rrugore nuk duhet të jepen pa 6 muaj deri në një vit dhe duhet të ketë kritere shumë të forta dhe tolerancë zero.
Kështu u shpreh sot në Studio 24 eksperti i sigurisë rrugore Fatmir Hasho, teksa foli për ngjarjen e rëndë të Durrësit ku u aksidentuan 2 fëmijë për vdekje nga një drejtues që ishte i dehur në timon, si dhe propozimet për masat që duhet të merren nga institucionet përkatëse.
Ai shpjegoi edhe problematikat që ka ligji aktual dhe Kodi Penal, duke vënë theksin tek ndërhyrja për masën e alkoolit që duhet të jetë e qartë, e përcaktuar prerë dhe të mos shkaktojë amulli me analizat e gjakut.
“Hiqet leja e drejtimit ose nuk merret fare. Unë mendoj se shumë shpejt, Policia bashkë me ne në prapavijë, të bëjë një numër të saktë për shifrën e konsumit të alkoolit, shifrën miligramë për litër, me atë që nxjerr analiza e gjakut. Ka dyshime gjithmonë për të ndihmuar këta që nuk zënë mend, pra ka një lloj amullie, pra analiza e gjakut. Ka edhe një problem tjetër, ajo e të drejtave të njeriut, se s’i merr dot gjak për analiza. Kjo kur s’ka ngjarje, sepse kur ka ngjarje është e detyrueshme. Unë mendoj se duhet të vendoset një shifër e saktë në ligj për alkoolin”, tha Hasho për “News 24”.
Ai propozoi gjithashtu që për 3 raste të vendosen kritere të forta që patenta të mos rikthehet deri në 1 vit te drejtuesi dhe të mos ndodhë rëndom që rikthehet pas 30 ditësh.
“Tjetra, kur hiqet leja e drejtimit të saktësohet kur është për alkool, shpejtësi, por edhe kazinotë, sepse ai mund të humbasë shuma të mëdha dhe të shkaktojë aksident. Pra leja e drejtimit për këto kategori nuk nuk duhet të jepet nga 6 muaj deri në 1 vit. Pra duhet të ketë kritere të forta për këto kategori më sipër. Tani shkon ajo koha 30 ditë dhe shkon atje dhe ta jep lejen e drejtimit. Kur të hiqet leja e drejtimit për 6 muaj ti do shkosh ta japësh përsëri testin sipas shkeljes. Pra duhet të ketë rregullime dhe të jenë të qepura mirë”, vijoi eksperti.
Ai propozoi gjithashtu edhe uljen e shpejtësisë së lëvizjes në zonat e banuara me 10 km, pasi marzhi aktual është shumë i lartë dhe abuzim, që sjell jo vetëm interpretime, por edhe ngjarje të rënda.
“Të ketë edhe kufizim për lëvizjen në zonat e banuara në 10 km. Nuk mund të jesh dyfishi apo trefishi me diferenca të theksuara nga 40 në 80 km për shembull. Për këto shkelje toleranca duhet të jetë zero”, përfundoi ai.


