Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 3, ku dy persona nga Tirana u plagosën me armë zjarri pas një konflikti në një lokal.
Në përfundim të hetimeve, janë shpallur në kërkim katër persona:
Ramadan Zoto, 43 vjeç, për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë,
Erjon Canaj, 36 vjeç, A. M., 43 vjeç dhe K. J., 31 vjeç, të tre për “përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas Policisë, konflikti ka nisur për motive të dobëta mes katër shtetasve nga Saranda dhe dy të rinjve nga Tirana: Gëzim Hoxhaj, 33 vjeç dhe Ernest Lama, 25 vjeç, të cilët mbetën të plagosur rëndë. Autori i dyshuar, Ramadan Zoto ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, ndërsa të dy janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Gjatë kontrollit në vendngjarje dhe në vijim të hetimeve, policia gjeti dhe sekuestroi:
4 gëzhoja arme zjarri,
një pistoletë “Beretta” me krehër dhe 9 fishekë,
si dhe një armë tjetër zjarri pa leje në çantën e të plagosurit Gëzim Hoxhaj, i cili u arrestua në flagrancë për armëmbajtje pa leje.
Hetimet për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim vijojnë. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Sarandës.